Një përleshje fizike në një kafiteri në Leposaviq ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë, ndërsa një 31-vjeçar dyshohet se sulmoi një të mitur.

Sinjali mëson se i dyshuari është Vojislav Babiç rreth 31-vjeç, ndërsa viktima është N.S. rreth 17-vjeç.

Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 4 gushtit, rreth orës 01:00, në kafiterinë “Bastion”, në rrugën “Vukashin Vukashinoviq” në Leposaviq.

Patrulla policore, gjatë patrullimit, ka vërejtur dy persona duke u përleshur fizikisht, ku sipas Policisë, Vojislav Babiç dyshohet se e kishte goditur me dorë të miturin.

Pas ndërhyrjes së zyrtarëve policorë, i dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Leposaviq.

Testimi me alkool ka rezultuar se Vojislav Babiç kishte 0.98 promilë alkool në gjak, ndërsa viktima e mitur 0.50 promilë.

Burimet bëjnë të ditur se i mituri nuk ka pësuar lëndime trupore dhe ka refuzuar trajtimin mjekësor.

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari do të intervistohet pasi të këndellet nga gjendja e dehur, ndërsa viktima do të merret në pyetje në prani të prindit ose përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale.

Rasti është proceduar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.