Inspektorati Qendror i Punës ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të punimeve në një kantier ndërtimi në Ferizaj, pas konstatimit të shkeljeve të rënda të rregullave për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Gjatë inspektimit, parregullsitë e evidentuara janë vlerësuar si rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve. Për këtë arsye, punimet janë pezulluar deri në eliminimin e plotë të mangësive të konstatuara. Një rast i ngjashëm në Ferizaj, lidhur me një objekt ndërtimi dhe rrezikimin e punëtorëve, është raportuar edhe më herët nga Inspektorati.

Sipas Inspektoratit, punimet do të mund të rifillojnë vetëm pasi inspektorët të verifikojnë se janë përmbushur kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë.

“Këto masa synojnë parandalimin e aksidenteve në vendin e punës dhe garantimin e kushteve të sigurta për punëtorët”, thuhet në njoftim.

Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet në të gjithë territorin e Kosovës dhe ka paralajmëruar masa ndaj subjekteve që cenojnë sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.