Një rast i rëndë është raportuar mbrëmjen e 20 shtatorit në Skenderaj, ku një 34-vjeçar është sulmuar me thikë dhe ka përfunduar për trajtim mjekësor.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur rreth orës 22:20, në pompën e derivateve “Fer Petrol”, në rrugën “Azem Bejta”.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, viktima është Jetlum Veliu, 34-vjeçar, i cili dyshohet se është sulmuar nga Driton Gecaj, 41-vjeçar, dhe Gadaf Ahmeti, 43-vjeçar.
Të dhënat fillestare tregojnë se Veliu fillimisht është goditur me një mjet të mprehtë, dyshohet thikë, në pjesën e gjoksit, ndërsa më pas edhe në këmbën e majtë.
Pas sulmit, dy të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Viktima fillimisht është dërguar në QKMF në Skenderaj, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa më pas është transferuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë të Jugut për trajtim të mëtejshëm.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore dhe njësia e hetimeve, por mjeti me të cilin dyshohet se është kryer sulmi nuk është gjetur.
Njësitet policore kanë kontrolluar edhe vendbanimet e të dyshuarve, por ata nuk janë hasur dhe vazhdojnë të kërkohen.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se një nga pistat që po hetohet lidhet me angazhimin e viktimës si sekretar në Shoqatën e Gjuetisë “Drenica”, e cila kishte vendosur kamera sigurie në zona malore për monitorimin e gjuetisë së paligjshme.
Pas trajtimit mjekësor, Veliu është paraqitur në stacion policor dhe është intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.
Hetimet po vazhdojnë, ndërsa dy të dyshuarit mbeten në kërkim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.