Ushtria amerikane njofton se do të dërgojë në Kosovë ushtarë nga Regjimenti i 2-të i Kalorësisë dhe njësi mbështetëse nga Divizioni i Parë i Këmbësorisë, në kuadër të misionit të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), për të zëvendësuar Grupin Luftarak të Brigadës së 53-të të Këmbësorisë së Gardës Kombëtare të Floridës.

“Si pjesë e këtij rotacioni të planifikuar, njësi të Brigadës së Aviacionit Luftarak të Divizionit të Parë të Këmbësorisë do të zëvendësojnë gjithashtu Batalionin e 2-të të Regjimentit të 135-të të Aviacionit të Gardës Kombëtare të Kolorados. Ky rotacion mbështet përpjekjet e vazhdueshme të NATO-s për të optimizuar misionin e KFOR-it, pas një rishikimi nga Shtabi i Lartë i Forcave Aleate në Evropë. Ndryshimi pasqyron përmirësimin e kushteve të sigurisë dhe mbështet një qasje graduale, të bazuar në rrethanat në terren, për të siguruar që KFOR-i të mbetet i pozicionuar siç duhet për përmbushjen e misionit të tij. Në përputhje me kalimin drejt konceptit NATO 3.0, përgjegjësinë kryesore do ta marrin aleatët evropianë”, thuhet në komunikatën për media nga Ushtria Amerikane në Evropë dhe Afrikë.

Ky rotacion shënon gjithashtu një ndryshim në mënyrën e angazhimit të forcave amerikane në këtë mision, duke kaluar nga njësitë e Gardës Kombëtare te forcat e dislokuara në teatrin e operacioneve, duke ruajtur njëkohësisht mbështetjen e vazhdueshme për KFOR-in.

Teksa Grupi Luftarak i Brigadës së 53-të të Këmbësorisë po përgatitet ta përfundojë rotacionin e tij, koloneli Samuel Sargent deklaroi:

“Ka qenë nder për ushtarët tanë të shërbejnë përkrah aleatëve dhe partnerëve të NATO-s në Kosovë. Grupi Luftarak i Brigadës së 53-të të Këmbësorisë mbetet krenar për profesionalizmin dhe përkushtimin që trupat tona kanë dëshmuar gjatë këtij misioni. Jemi të bindur se njësia që do të vijë do të vazhdojë t’i forcojë përpjekjet e KFOR-it për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet.”

Ushtarët amerikanë do të vazhdojnë të punojnë përkrah aleatëve dhe partnerëve të NATO-s për të ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Divizioni i Parë i Këmbësorisë, së bashku me kolegët tanë të Regjimentit të 2-të të Kalorësisë, është i nderuar që merr sërish përsipër këtë mision jetik. Ushtarët tanë janë në formë të mirë, të motivuar, të disiplinuar, të trajnuar dhe të gatshëm të punojnë përkrah aleatëve dhe partnerëve të NATO-s për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë”, tha koloneli Jabari M. Miller, zëvendësshef i mirëmbajtjes në Divizionin e Parë të Blinduar dhe komandant i ardhshëm i Komandës Rajonale – Lindje.

“Falënderojmë Grupin Luftarak të Brigadës së 53-të të Këmbësorisë për shërbimin e tyre të jashtëzakonshëm dhe mbetemi të përkushtuar për të siguruar mbështetje të vazhdueshme për misionin e KFOR-it”, shtoi ai.

SHBA-ja mbetet e përkushtuar për mbështetjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe do të vazhdojë koordinimin e ngushtë me NATO-n dhe partnerët gjatë këtij tranzicioni.