Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefi i UNMIK-ut, Peter Due, u ka bërë thirrje institucioneve dhe autoriteteve përkatëse që të ndërmarrin veprime urgjente për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave.

Due shprehu trishtim të thellë për vdekjen e dy grave, të cilat, sipas raportimeve, u vranë nga bashkëshortët e tyre brenda pak ditësh. Ai u shprehu ngushëllime familjeve dhe të afërmve të viktimave.

“Këto vdekje tronditëse janë një kujtesë e dhimbshme se dhuna ndaj grave mbetet një çështje serioze dhe urgjente e të drejtave të njeriut. Një dhunë e tillë nuk duhet të tolerohet, normalizohet apo trajtohet kurrë si çështje private”, deklaroi Due.

Ai kërkoi që rastet të hetohen shpejt, plotësisht dhe në mënyrë të paanshme, duke respektuar procesin e rregullt ligjor dhe duke garantuar përgjegjësi të plotë.

Shefi i UNMIK-ut bëri gjithashtu thirrje për intensifikimin dhe koordinimin e veprimeve për parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe mbrojtjen e grave që ndodhen në rrezik.

Sipas tij, institucionet duhet të sigurojnë që të mbijetuarat e dhunës të kenë qasje në kohë në mbrojtje, shërbime mbështetëse dhe drejtësi.