Një konflikt mes dy vëllezërve në Magurë të Lipjanit ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë dhe më pas me hospitalizimin e njërit prej tyre në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se në rast janë përfshirë vëllezërit F. L. rreth 37-vjeqar dhe V. L. 33-vjeqar
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 24 gusht, rreth orës 23:00, në shtëpinë e familjes në rrugën “1 Tetori” në Magurë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, V. L. është paraqitur rreth një orë e gjysmë më vonë në Stacionin Policor në Lipjan, ku ka denoncuar se ishte sulmuar fizikisht nga vëllai i tij.
Ai ka deklaruar se F. dyshohet se e kishte goditur me grusht në fytyrë.
33-vjeçari nuk kishte raportuar lëndime dhe ka refuzuar trajtimin mjekësor, por para Policisë ka kërkuar që vëllait të tij t’i ofrohej trajtim psikiatrik.
Pas intervenimit, F. L. i është ofruar fillimisht trajtim nga Emergjenca në Lipjan.
Më pas, me pëlqimin dhe vullnetin e tij, si dhe sipas udhëzimit të ekipit mjekësor, ai është shoqëruar në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK për kontroll.
Pas ekzaminimit, 36-vjeçari është hospitalizuar për trajtim të mëtejmë.
Për rastin është konsultuar Prokurorja kujdestare, e cila ka udhëzuar inicimin e rastit për veprat “Dhuna në familje” dhe “Sulmi”.
Rasti tashmë ka kaluar te Njësia e Hetimeve për Dhunë në Familje për veprime të mëtejshme.