Persona ende të paidentifikuar kanë depërtuar me forcë në objektin e Shkollës Fillore “Iliria” në fshatin Savrovë të Suharekës, ku kanë shkaktuar dëme materiale dhe kanë demoluar ambiente të shkollës.

Sinjali mëson se rasti është raportuar mëngjesin e 3 gushtit, rreth orës 07:50, nga drejtori i shkollës, Xh.Z. rreth 62 vjeçar.

Sipas burimeve, autorët dyshohet se kanë hyrë në objekt duke thyer një dritare, ndërsa brenda kanë shkaktuar dëmtime të shumta në inventar dhe ambiente të shkollës.

Drejtori ka deklaruar se, në momentin e raportimit, nuk kishte informacion nëse ishte vjedhur ndonjë send, ndërsa vlera e dëmit material ende nuk është përcaktuar.

Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të Policisë, të cilat kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve.

Rasti është iniciuar si “Dëmtim prone”, ndërsa deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka persona të dyshuar. Policia po vazhdon punën për zbardhjen e plotë të rastit.