Një incident serioz është raportuar mbrëmjen e 1 tetorit në Gushtericë të Ulët të Graçanicës, ku dy zyrtarë policorë janë sulmuar gjatë një intervenimi.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 18:20, njësia policore ishte duke operuar në një pikë kontrolli kur ka vërejtur një veturë Citroen të ndaluar disa metra më larg.
Policia i është afruar automjetit dhe ka kontaktuar me një të mitur që ndodhej aty, ndërsa pak më vonë në vendin e ngjarjes ka ardhur edhe prindi i tij, Miroslav Stolic, 43-vjeçar.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, i dyshuari fillimisht dyshohet se ka refuzuar urdhrat e zyrtarëve policorë dhe më pas ka tentuar të largohet me vrap.
Gjatë ndërhyrjes, ai dyshohet se ka goditur njërin polic me grusht në fytyrë, ndërsa zyrtarin e dytë e ka sulmuar me kokë në pjesën e fytyrës dhe në pjesë të trupit.
Gjatë rezistencës është dëmtuar edhe këmisha zyrtare e njërit prej policëve.
Në asistencë kanë dalë njësi të tjera policore, të cilat kanë arritur ta arrestojnë të dyshuarin dhe ta shoqërojnë në stacion.
Në rast janë përfshirë edhe njësitë hetimore dhe Inspektorati Policor.
Të dy zyrtarëve policorë dhe të dyshuarit u është ofruar trajtim mjekësor, ndërsa janë konstatuar lëndime të lehta trupore.
Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Hetimet lidhur me rrethanat e plota të incidentit po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.