Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se asnjë procedurë administrative apo e prokurimit nuk do ta pengojë përkushtimin e Qeverisë për zhvillimin e Policisë së Kosovës, pas kritikave për mungesën e kapelave për kadetët e rinj në ceremoninë e diplomimit.
Gjatë ceremonisë së diplomimit të Gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës, Sveçla ka bërë të ditur se buxheti për këtë institucion është rritur për 60 për qind, nga 109 milionë në 173 milionë euro.
Ai ka theksuar se Qeveria do të vazhdojë ta mbështesë Policinë e Kosovës, duke u zotuar se zyrtarët policorë nuk do të mbeten pa përkrahjen e nevojshme për ushtrimin e detyrave të tyre.
“Dua t’ju siguroj se në këtë rrugëtim nuk do të jeni vetëm. Mbështetja jonë për Policinë e Kosovës dhe për secilin prej jush do të vazhdojë. Si Qeveri kemi mbështetur në vazhdimësi Policinë e Kosovës me qëllim që të keni kushtet, mundësitë dhe përkrahjen e nevojshme për ta kryer sa më mirë detyrën tuaj”, ka thënë Sveçla.
Ministri ka bërë të ditur gjithashtu se buxheti i alokuar dhe i shpenzuar për Policinë e Kosovës gjatë pesë vjetëve të fundit ka arritur në 732 milionë euro.
“Nuk ka dhe nuk do të ketë procedura administrative e të prokurimit që do ta ndalin përkushtimin tonë dhe zhvillimin e Policisë së Kosovës”, ka deklaruar Sveçla.
Në fund, ai u ka bërë thirrje eprorëve dhe menaxhmentit të Policisë që mbështetja e ofruar nga Qeveria të reflektohet në efikasitetin e punës së zyrtarëve policorë.
“Suksesi juaj në shërbim të qytetarëve është edhe përgjegjësi dhe synim i yni i përbashkët”, ka përfunduar Sveçla.