Një mosmarrëveshje për ushqimin e bagëtive në Obiliq dyshohet se ka eskaluar në kanosje serioze, ndërsa rasti ka përfunduar me bastisje policore dhe konfiskim të një arme gjahu.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur mbrëmjen e 11 shtatorit, në rrugën “Martirët Aliu”, ndërsa viktima është paraqitur në stacion policor rreth orës 21:15.

Sipas deklarimit të tij, mes tij dhe të dyshuarit Haxhi Aliu kishte pasur një mosmarrëveshje lidhur me ushqimin e bagëtive, e cila më pas kishte marrë tjetër rrjedhë.

Viktima ka deklaruar se gjatë konfliktit, 63-vjeçari e kishte kanosur me fjalët: “Kam me ta dhënë plumbin në lule të ballit”.

Pas raportimit, Policia ka nisur veprimet hetimore dhe ka njoftuar Prokurorin e Shtetit.

Të nesërmen, më 12 shtator, rreth orës 06:00, me urdhër të Prokurorit është bastisur shtëpia e të dyshuarit.

Gjatë kontrollit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjahu.

Pas përfundimit të bastisjes, Aliu është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës.

Me udhëzim të Prokurorit kujdestar, ndaj tij janë iniciuar rastet “Kanosje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa procedura do të vazhdojë në mënyrë të rregullt.