Një raportim për të shtëna me armë ka alarmuar Policinë në Pejë, duke çuar në ndërhyrjen e njësive policore dhe sekuestrimin e një arme me gaz.

Sinjali mëson se i dyshuari është Sylejman Berisha rreth 64-vjeç.

Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur më 3 gusht, në rrugën “KFOR-it”, në afërsi të lokaleve “Grand Antika”, ku Policia u njoftua për të shtëna me armë zjarri.

Menjëherë pas marrjes së informatës, patrulla policore ka dalë në vendngjarje dhe ka zhvilluar bisedë me pronarin e lokalit. Gjatë intervenimit është paraqitur edhe Sylejman Berisha, i cili ka pranuar para zyrtarëve policorë se kishte shtënë me një armë me gaz.

I dyshuari e ka dorëzuar vullnetarisht armën, e cila është sekuestruar nga Policia në cilësinë e provës materiale.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësia e hetimeve dhe krim-teknika, të cilat kanë kryer ekzaminimet e nevojshme, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Pejë për intervistim.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj Sylejman Berishës është iniciuar procedurë për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Me urdhër të Prokurorit, 64-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.