Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të premten, më 4 shtator, në rrugën “Ilaz Kodra” në Drenas, ku tre nxënës të mitur janë përfshirë në një incident që përfundoi me përdorimin e thikës dhe plagosjen e dy prej tyre, merr vesh Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti është raportuar rreth orës 13:30, ndërsa të gjithë personat e përfshirë janë të lindur në vitin 2009.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, i dyshuari, nxënës i klasës së dhjetë, dyshohet se gjatë incidentit ka sulmuar me thikë dy nxënës të tjerë.
Njëri prej tyre ka pësuar lëndime në gjoks, ndërsa tjetri është plagosur në dorën e majtë.
Të dy të miturit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Fatmirësisht, sipas informacioneve të deritanishme, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetë.
I dyshuari është shoqëruar në Polici dhe është intervistuar në praninë e prindit, përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale dhe avokatit mbrojtës.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit i mituri është dërguar në ndalim për 24 orë në Qendrën e Mbajtjes në Mitrovicën e Jugut.
Rasti po trajtohet si “Vrasje në tentativë” nga Njësia e Hetimeve Rajonale.
Dy të plagosurit pritet të intervistohen pas përfundimit të trajtimit mjekësor, ndërsa motivi që çoi në përleshjen mes nxënësve mbetet ende i panjohur.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.