Një ngjarje shqetësuese është raportuar të dielën pasdite në Prishtinë, ku një grua dyshohet se ka ndjekur fëmijë me sëpatë dhe ka dëmtuar parkun ku ata po qëndronin, raporton Sinjali.

Rasti ka ndodhur më 30 gusht, rreth orës 18:30, në rrugën “Vushtrria” në kryeqytet.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, Policia fillimisht ka pranuar raportimin se një grua po ndiqte fëmijët me një sëpatë dhe njëkohësisht po dëmtonte inventarin e parkut të fëmijëve në atë zonë.

Njësia policore është nisur menjëherë drejt lokacionit, ku ka hasur dhe identifikuar personin e dyshuar.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Valbona Popolekun, 45-vjeçare, e cila është arrestuar nga zyrtarët policorë.

Gjatë intervenimit, Policia ka sekuestruar edhe sëpatën që dyshohet se është përdorur në incident.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, ndërsa pas koordinimit me Policinë rasti është cilësuar për veprat penale “Kanosja” dhe “Dëmtimi apo asgjësimi i pasurisë”.

Me urdhër të Prokurorit, Popoleku është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Nga informacionet fillestare nuk raportohet për fëmijë të lënduar, ndërsa nuk janë bërë të ditura as rrethanat që dyshohet se çuan deri te incidenti.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.