Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë për vdekjen e një të mituri në fshatin Bellacerkë të Rahovecit, i cili u gjet i shtrirë me plagë që dyshohet se ishin shkaktuar nga arma e zjarrit.

Viktima është Blenis Burim Gashi nga fshati Fortesë. Në njoftimin mortor të familjes thuhet se ai ka humbur jetën aksidentalisht dhe në moshë shumë të re.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, konfirmoi për Sinjalin se Policia ishte njoftuar rreth orës 20:35 për një të mitur të gjetur të shtrirë dhe me plagë të dyshuara nga arma e zjarrit.

Njësitë policore dolën menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa i mituri u dërgua për trajtim mjekësor. Pavarësisht përpjekjeve, mjekët konstatuan vdekjen e tij.

Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se lidhet me rastin.

Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.