Një incident i rëndë ka ndodhur në këndin e lojërave në qendrën tregtare “Prishtina Mall”, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht një fëmijë vetëm 7-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur në sy të fëmijëve të tjerë, ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë, të kontrolluara më pas nga menaxheri i këndit të lojërave, kanë ndihmuar në zbardhjen e rrethanave të sulmit.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se i dyshuari është Korab Feka 35 vjeçar, i cili dyshohet se e ka sulmuar fëmijën me duar dhe këmbë, pas një përleshjeje të çastit mes disa fëmijëve që po luanin.
Ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor, rreth orës 19:45, në këndin e lojërave brenda qendrës tregtare në Livagjë të Graçanicës.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, disa fëmijë ishin përfshirë në një kacafytje gjatë lojës, kur një person i rritur, që ndodhej pranë tyre, kishte vrapuar drejt njërit prej fëmijëve.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë, sipas denoncimit, dyshohet se burri e sulmoi fizikisht 7-vjeçarin, duke e goditur me duar dhe këmbë edhe pasi fëmija kishte përfunduar në dysheme.
Pas incidentit, personi i dyshuar ishte larguar nga lokacioni.
Menaxheri kontrollon kamerat dhe njofton Policinë
Rasti ka dalë në pah një ditë më vonë, më 2 nëntor, kur menaxheri i këndit të lojërave, G.L. 31 vjeçar , ka njoftuar Policinë për incidentin, pasi kishte shqyrtuar pamjet e kamerave të sigurisë.
Hetuesit kanë nisur mbledhjen e informatave dhe identifikimin e personave të përfshirë.
Gjatë veprimeve hetimore është intervistuar edhe babai i të miturit, i cili ka deklaruar se deri në atë moment nuk kishte qenë në dijeni për sulmin ndaj djalit të tij.
Viktima është një fëmijë 7-vjeçar, ndërsa, për shkak të moshës dhe ndjeshmërisë së rastit, Gazeta Sinjali nuk publikon të dhëna të tjera që mund të çojnë në identifikimin e tij.
Për rastin është njoftuar edhe Qendra për Punë Sociale, ndërsa Policia ka iniciuar hetimet për veprën penale “Sulmi”.
I dyshuari paraqitet në Polici, ndalohet për 48 orë
Më 3 nëntor, i dyshuari Korab Feka është paraqitur në Stacionin Policor në Graçanicë, ku është intervistuar lidhur me incidentin.
Pas intervistimit, me vendim të Prokurorisë së Shtetit, ndaj tij është caktuar ndalimi deri në 48 orë.
Hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përgjegjësisë eventuale penale të të dyshuarit.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.