Rasti tragjik në kantierin ku po ndërtohet Stacioni Policor në Zubin Potok, ku humbi jetën 30-vjeçari Bajram Selimi, ka sjellë një zhvillim të ri në procedurën penale.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj Bexhet Baftjarajt, njërit prej dy personave të dyshuar në lidhje me rastin.

Vendimi është marrë të enjten, më 3 shtator, pas seancës dëgjimore që kishte nisur rreth orës 10:30. Aktvendimi për paraburgim është nxjerrë rreth orës 16:00, ndërsa Baftjaraj është dërguar në Qendrën e Paraburgimit..

Ngjarja e rëndë kishte ndodhur të hënën, më 1 shtator, në Zubin Potok.

Sipas informacioneve të Sinjalit, Selimi ishte duke punuar në objektin në ndërtim të Stacionit Policor dhe, pas betonimit të një muri mbrojtës, dyshohet se gjatë zbritjes nga një lartësi prej rreth tre metrash kishte rrëshqitur dhe kishte rënë mbi një armaturë statike vertikale.

30-vjeçari kishte pësuar lëndime të rënda.

Fillimisht ai ishte dërguar në QKMF-në në Zubin Potok dhe më pas, për shkak të gjendjes së rëndë, ishte transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal në Mitrovicën e Veriut.

Selimi nuk kishte arritur t’u mbijetonte plagëve dhe kishte ndërruar jetë.

Në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse policore dhe inspektorët e punës, ndërsa trupi i pajetë i viktimës ishte dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Në kuadër të hetimeve si të dyshuar janë identifikuar Bexhet Baftjaraj dhe Fadil Jashari.

Pas intervistimit të palëve dhe konsultimit me prokuroren kujdestare, Baftjaraj ishte dërguar fillimisht në ndalim për 48 orë, ndërsa Jashari ishte liruar.

Tash, me vendimin e ri të Gjykatës, Baftjarajt i është caktuar masa prej 30 ditësh paraburgim.

Rasti po hetohet në drejtim të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, ndërsa hetimet pritet të përcaktojnë përgjegjësinë eventuale për rrethanat që çuan në vdekjen e 30-vjeçarit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.