Një person i kërkuar nga Policia është arrestuar mbrëmjen e 14 shtatorit në fshatin Dubravë të Kaçanikut, ndërsa gjatë aksionit është gjetur dhe sekuestruar edhe një armë e gjatë që dyshohet se lidhet me një rast të mëhershëm të kanosjes.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Valon Qorrin, 34-vjeçar nga Dubrava e Kaçanikut.
Arrestimi është realizuar rreth orës 19:30, gjatë zbatimit të një plani operativ policor.
Gjatë veprimeve në terren, Policia ka gjetur dhe konfiskuar një armë të gjatë gjuetie të tipit shotgun, me ngjyrë të zezë, së bashku me tre fishekë të kalibrit 12 GA.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, arma dyshohet se lidhet me një video-incizim të siguruar në kuadër të një rasti të mëhershëm për kanosje.
Ky element pritet të jetë pjesë e hetimeve të mëtejshme për të sqaruar nëse arma e sekuestruar është e njëjta që dyshohet se është përdorur ose shfaqur në atë rast.
Pas arrestimit, Qorri është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, me urdhër të të cilit i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Ndaj tij po zhvillohen hetime për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “Kanosje”.
Hetimet për lidhjen e armës së sekuestruar me videon e rastit të mëhershëm po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.