Një video në të cilën shihej një i mitur duke ekspozuar një armë ka vënë në lëvizje Policinë në Suharekë, duke çuar në identifikimin e dy personave dhe sekuestrimin e një pistolete, mëson Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se të dyshuarit janë Syarte Bylugbashi, 23 vjeçar dhe një i mitur me inicialet E.B. 15 vjeoar.
Rasti lidhet me një video të pranuar nga Stacioni Policor në Suharekë, në të cilën, sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, shihej i mituri duke ekspozuar një pistoletë.
Pas pranimit të pamjeve, hetuesit kanë nisur veprimet për të identifikuar personat e përfshirë dhe për të zbuluar prejardhjen e armës.
Hetimet kanë çuar te Syarte Bylugbashi, nën dyshimin se arma e ekspozuar ishte në posedimin e saj. Pas sigurimit të prezencës së saj, ajo, sipas raportit të rastit, ka pranuar se posedonte armën.
Në koordinim me Prokurorin kujdestar, Policia ka kryer kontroll në shtëpinë e saj, ku është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë “Zoraki M.906-T”, e kalibrit 9 mm, së bashku me një karikator.
Të dy të dyshuarit janë intervistuar në praninë e avokatëve mbrojtës.
Pas përfundimit të procedurave policore, ata janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti është iniciuar për veprën që lidhet me mbajtjen, posedimin apo shfrytëzimin e paautorizuar të armës.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.