Vetëm pak kohë pas transmetimit të emisionit në KALLXO.com, ku Halim Kerzi u paraqit si person që pretendon se është viktimë e fajdes, në Snapchat është publikuar një video që sjell një imazh krejt tjetër nga ai që publiku pa në ekran.
Sinjali ka siguruar videon, në të cilën Kerzi shihet duke bërë xhiro me veturë në Prizren, ndërsa në sfond dëgjohet muzikë me mesazhe për mungesë frike, lëvizje të lirë dhe besimin se vetëm Zotit i druhet njeriu.
Por një detaj tjetër bie veçanërisht në sy.
Në dorën e Kerzit shfaqet një orë luksoze Rolex, e cila nuk shihej gjatë intervistës në emision.
Madje, gjatë paraqitjes televizive, në pjesën e kyçit ku zakonisht mbahet ora vërehej dallim i dukshëm në ngjyrën e lëkurës, ndërsa vetëm pak kohë pas transmetimit, ora shfaqet sërish në dorën e tij teksa ai vozit nëpër Prizren.
Nëse heqja e orës para intervistës ka qenë e qëllimshme apo jo, këtë nuk mund ta konstatojë Sinjali. Por kontrasti mes dy paraqitjeve është i dukshëm dhe pamjet flasin vetë.
Kerzi u paraqit në emision në kuadër të një rrëfimi ku pretendon se është viktimë e fajdes, ndërsa pas transmetimit të tij shfaqet në Snapchat duke lëvizur lirshëm, me Rolex në dorë dhe me muzikë që përcjell një mesazh krejt tjetër nga atmosfera e rrëfimit televiziv.
Kujtojmë se emri i Kerzit ishte bërë i njohur publikisht edhe më herët përmes mikut të tij, berberit Riza, i cili e kishte prezantuar si klientin që kishte paguar hiç më pak se 1 mijë euro për një qethje.
Pikërisht ky detaj, bashkë me pamjet e publikuara pas emisionit, e bën edhe më të pazakontë kontrastin mes profilit të krijuar publikisht dhe paraqitjes së tij si viktimë në ekran.
Natyrisht, videoja dhe ora që shihet në të nuk provojnë dhe as rrëzojnë pretendimet penale të Kerzit. Vlerësimi i përgjegjësisë dhe i provave u takon ekskluzivisht organeve të drejtësisë.
Por ajo që mund të konstatohet është se, vetëm pak kohë pas rrëfimit televiziv, në Snapchat u shfaq një Halim Kerzi krejt ndryshe, duke lëvizur lirshëm në Prizren, me orën luksoze sërish në dorë dhe me një kolonë zanore që flet për mungesë frike.