Dy të rinjtë e dyshuar lidhur me shkëmbimin e zjarrit në një objekt banesor në sheshin “Isa Boletini” në Mitrovicë, rast që po hetohet si “Vrasje në tentativë”, janë vetëdorëzuar në Polici 11 ditë pas ngjarjes, mëson Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Endri Cakiqin, 18 vjeçar dhe Albi Cakiqin, 24 vjeçar, të cilët janë paraqitur në Polici mëngjesin e 20 gushtit, rreth orës 09:30, të shoqëruar nga avokatët e tyre mbrojtës.

Me rastin e dorëzimit, njëri prej të dyshuarve ka dorëzuar edhe një pistoletë të tipit “Zastava”, për të cilën ka pretenduar se është arma që ai ka përdorur gjatë incidentit. Arma është sekuestruar dhe do t’i nënshtrohet procedurave të mëtejshme hetimore.

Ngjarja për të cilën dyshohen dy vëllezërit kishte ndodhur më 9 gusht, rreth orës 15:30, në sheshin “Isa Boletini”.

Policia ishte njoftuar atë ditë për të shtëna me armë zjarri dhe, me të mbërritur në vendngjarje, kishte hasur në një skenë që ngriti dyshime për të shtëna nga të dyja palët.

Në derën e banesës ku jetonin të dyshuarit ishin konstatuar vrima të shkaktuara nga predhat, ndërsa dyshohet se nga brenda banesës ishte shtënë në drejtim të disa personave që ndodheshin në korridor.

Por plumbat, sipas të dhënave të hetimit fillestar, nuk kishin ardhur vetëm nga njëra anë.

E dëmtuar ishte edhe dera e banesës përballë, ndërsa në korridor ishin gjetur e sekuestruar disa gëzhoja që dyshohej se u përkisnin kalibrave të ndryshëm dhe potencialisht dy armëve.

Njësia e Hetimeve Rajonale kishte kryer ekzaminimin e vendngjarjes, duke tërhequr gëzhojat dhe predhat e gjetura për ekzaminime të mëtejshme.

Pas incidentit, personat që ndodheshin në banesën e të dyshuarve ishin larguar dhe vendndodhja e tyre nuk ishte bërë e ditur.

Njëmbëdhjetë ditë më vonë, Endri dhe Albi Cakiqi janë paraqitur vetë në Polici.

Të dy janë intervistuar në praninë e avokatëve mbrojtës, ndërsa me vendim të Prokurorit të çështjes u është caktuar ndalimi prej 48 orësh.

Motivi që çoi deri te të shtënat ende nuk është bërë i ditur. Rasti vazhdon të hetohet si “Vrasje në tentativë”, ndërsa hetimet pritet të sqarojnë rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe rrethanat e shkëmbimit të dyshuar të zjarrit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.