Një rast tepër i ndjeshëm që përfshin dy të mitur është raportuar në Obiliq, ku një 15-vjeçare ka denoncuar një bashkëmoshatar të saj, ndërsa rasti po hetohet për veprën penale “Dhunimi”.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se më 4 tetor, rreth orës 20:20, e mitura është paraqitur në Stacionin Policor në Obiliq së bashku me prindërit e saj.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ajo është intervistuar pas konsultimit me Prokurorin për të mitur dhe në prani të zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale.
Dyshohet se më herët gjatë asaj dite, bashkëmoshatari i saj e kishte marrë me veturë dhe së bashku kishin shkuar në fshatin Hade të Obiliqit, ku dyshohet se ka ndodhur rasti për të cilin 15-vjeçarja më pas është paraqitur në Polici.
Për shkak të moshës së të dy të miturve dhe natyrës së rastit, Sinjali nuk publikon identitetin e tyre dhe as të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e viktimës.
Njësitë përkatëse hetimore janë përfshirë në rast dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për sqarimin e rrethanave.
Policia nuk ka arritur ta sigurojë praninë e të dyshuarit për intervistim. Familjarëve të tij u është dorëzuar ftesa që ai të paraqitet pranë organeve kompetente, ndërsa i mituri është vendosur në kërkim policor.
Me udhëzim të Prokurorit për të mitur, rasti është iniciuar si “Dhunimi”, sipas nenit 227 të Kodit Penal.
Hetimet po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.