Një incident serioz është regjistruar mbrëmjen e 4 tetorit pas ndeshjes së basketbollit mes Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit, e zhvilluar në kuadër të xhiros së tretë të ProCredit Superligës së Kosovës.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 19:10, Policia është njoftuar për një sulm fizik ndaj delegatit dhe gjyqtarëve të ndeshjes në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Arian Thaqi, Amar Djokovic, Enes Maxhuni dhe Ngadhnjim Shabani, pasi kishin përfunduar angazhimet dhe ishin larguar nga zhveshtoret në drejtim të parkingut, janë përballur me një grup prej mbi 10 personash.
Sipas deklarimeve të tyre, personat fillimisht i kanë fyer dhe më pas i kanë sulmuar fizikisht.
Të dëmtuarit kanë pranuar trajtim mjekësor pas incidentit.
Ata kanë deklaruar gjithashtu se njëri prej personave që dyshohet se ka qenë i përfshirë njihet me nofkën “Cikaqi”, të cilin e kanë identifikuar si udhëheqës të tifogrupit “Plisat”.
Njësia e hetimeve është angazhuar në identifikimin e personave të dyshuar dhe në sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Sulmi”.
Hetimet po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.