Një incident i pazakontë dhe i rrezikshëm është regjistruar në orët e para të 3 tetorit në rrugën “Ukshin Kovaçica” në Prishtinë, ku një shtetase e Kolumbisë dyshohet se ka lënduar një person dhe ka dëmtuar pronë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 03:00, Policia është njoftuar se një grua po bërtiste me zë të lartë në zonën e “Alko Group”.

Në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë kontaktuar me K.K, i cili kishte lëndime në këmbë dhe gjakderdhje, si dhe me një dëshmitar.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gruaja ndodhej në ballkonin e një banese në katin e sipërm, e zhveshur dhe duke gjuajtur me gurë në drejtim të ballkonit poshtë, me ç’rast dyshohet se ka lënduar edhe 23-vjeçarin.

Situata është tensionuar edhe më tej kur zyrtarët policorë kanë tentuar të komunikojnë me të dyshuarën. Ajo dyshohet se mbante një thikë në dorë, të cilën e kishte drejtuar në drejtim të policëve, ndërsa më pas kishte thyer edhe xhamin e derës.

Në thikë dhe në duart e saj janë vërejtur shenja gjaku.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është dhënë urdhër që dera të hapej me forcë, ndërsa në vendngjarje ka intervenuar edhe Njësia Speciale.

Policia ka arritur ta vërë nën kontroll të dyshuarën, e cila pas verifikimit ka rezultuar të jetë Catalina Henao, shtetase e Kolumbisë.

Thika është sekuestruar, ndërsa e dyshuara është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe përkthyesit.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, ndërsa Henao është ndaluar për 48 orë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.