Gjykata ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj M. M., e dyshuar se më 1 tetor në Leposaviq ka lënduar me thikë një fëmijë 4-vjeçar.

Policia ka bërë të ditur se e dyshuara, e gjinisë femërore, e lindur në vitin 1990, është dërguar sot në Gjykatë për seancë gjyqësore, pas rastit të raportuar si “Vrasje në tentativë”.

“Pas mbajtjes së seancës, gjyqtari ka caktuar ndaj të dyshuarës masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ngjarja e rëndë kishte ndodhur mesditën e 1 tetorit në Leposaviq, burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 12:20, Policia ishte njoftuar nga Shtëpia e Shëndetit se një fëmijë po merrte ndihmë mjekësore pasi ishte lënduar me thikë.

Fëmija ishte dërguar më pas për trajtim të mëtejmë në spital në Mitrovicë.

Sipas informacioneve që kishte siguruar Sinjali, gjendja e 4-vjeçarit ishte stabile dhe ai ndodhej jashtë rrezikut për jetë.

Në lidhje me rastin ishte identifikuar dhe shoqëruar e dyshuara, e cila gjatë shoqërimit dyshohet se kishte shfaqur sjellje agresive ndaj një zyrtareje policore, duke e goditur dhe tentuar ta kafshojë.

E dyshuara ishte dërguar edhe për vlerësim mjekësor. Sipas dokumentacionit mjekësor të rastit, ajo rezulton se vuan nga probleme serioze të shëndetit mendor dhe neurologjik.

Raportimi i Sinjalit: