Tre persona janë arrestuar në kuadër të aksionit të sotëm të Hetimeve Rajonale në Prizren, lidhur me shpërthimin e ndodhur në qershor në afërsi të shtëpisë së avokatit Betim Kadolli.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se gjatë bastisjeve janë gjetur dhe siguruar dëshmi materiale që lidhen me rastin. Njëri prej personave të arrestuar ndodhet në rajonin e Kamenicës, ku janë zhvilluar bastisje në një fshat në kufi me Serbinë.
Operacioni është zhvilluar në kuadër të hetimeve për shpërthimin e ndodhur më 16 qershor në Prizren, rast që kishte ngritur shumë pikëpyetje për motivin dhe autorët.
Në atë kohë ishte raportuar se një mjet shpërthyes kishte rënë në pronën e fqinjit të Kadollit, në kufi me parcelën e tij, ndërsa si pasojë ishte dëmtuar edhe vetura e avokatit. Vetë Kadolli kishte deklaruar se nuk kishte pasur kërcënime dhe se nuk mund të thoshte se kishte qenë cak i sulmit.
Që nga ajo kohë, hetuesit kanë vazhduar me grumbullimin dhe analizimin e provave për identifikimin e personave që mund të kenë lidhje me shpërthimin.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, aksioni i sotëm është rezultat i këtyre hetimeve, ndërsa tre personat e arrestuar po trajtohen në kuadër të procedurave për zbardhjen e plotë të rastit.