Një pikë kontrolli e Policisë në Prishtinë ka përfunduar me arrestimin e një 26-vjeçari, i cili rezultonte i kërkuar me urdhër-arrest aktiv për t’u dërguar në vuajtje të dënimit, mëson Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Melos Raqin 26-vjeçari , i cili është ndaluar nga pjesëtarët e Njësisë së Reagimit të Shpejtë.

Pas verifikimit të të dhënave të tij, ka rezultuar se ndaj Raqit ishte aktiv një urdhër-arrest i lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për kërkimin, ndalimin, arrestimin dhe dërgimin e tij në institucionin për vuajtjen e dënimit.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, urdhëresa lidhet me një aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge”.

Raqi ishte dënuar me 700 euro gjobë, por pikërisht mospagesa e saj ka bërë që çështja të përfundojë me burg.

Pasi gjoba nuk ishte paguar, ajo është zëvendësuar me 35 ditë burgim, ndërsa ishte lëshuar edhe urdhëresa për ekzekutimin e dënimit.

Pas ndalimit në pikën e kontrollit dhe përfundimit të procedurave policore, 26-vjeçari është dërguar në Burgun e Dubravës, ku do të vuajë dënimin prej 35 ditësh.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.