Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka bërë të ditur detaje për armatimin dhe pajisjet e sekuestruara gjatë operacioneve policore të zhvilluara në 48 lokacione në Zubin-Potok, nga 6 deri më 17 gusht.
Gjatë konferencës për media, Hoxha ka deklaruar se gjatë operacioneve janë gjetur lloje të ndryshme armësh, municion, mjete shpërthyese, pajisje ushtarake dhe uniforma të Ushtrisë dhe Policisë së Serbisë.
“Policia ndër prioritetet e saja e ka ruajtjen e rendit kushtetues dhe sigurinë e përgjithshme në Kosovë. Siguria është element kryesor për çdo shoqëri në botë. Pas pranimit të informacioneve dhe verifikimit të informacioneve janë realizuar kontrolle në gjithsej në 48 lokacione, ku janë gjetur sasi të armëve e municione. Janë gjetur 72 copë armë, prej tyre dy mitrolozë, 11 armë të gjata AK 47, 22 armë të gjata të llojeve të ndryshme, 27 pushkë të gjuetisë, 9 armë të shkurta pistoletë, një pushkë ajrore, mjete shpërthyese 7 copë, 7 granata dore, pjesë plastike të paketimit të granatës, mjete piroteknike. Janë gjetur edhe shumë pajisje tjera ushtarake. Numër i madh uniformash, çanta ushtarake, këmisha ushtarake të ushtrisë së Serbisë, policisë së Serbisë. Janë sekuestruar edhe dokumentacione, dokumentacione të librezave të armëve të ish-Jugosllavisë, kartela të veteranit të luftës, dokumenta të armëve të numrave serik, ditarë të rojeve të pyllit, leje të armëve të shkurta, po ashtu edhe leje tjera të skaduara. Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe mjete monetare, para në vlerë prej 96 mijë e 100 euro, po ashtu edhe 5 mijë franga”, ka thënë ai.