Shoqata për Kërkim dhe Shpëtim e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve të Shqipërisë për gjetjen e Hamëz Ismajlit, 80-vjeçarit nga Ferizaj që rezulton i zhdukur që nga 17 gushti 2026.
Sipas Florim Nezirajt nga kjo shoqatë, Ismajli dyshohet se është parë për herë të fundit më 18 gusht në Stacionin e Autobusëve në Tiranë, ku kishte mbërritur me një kompani transportuese nga Kosova.
Bazuar në informacionet e deritanishme, 80-vjeçari po kërkonte një person nga Tirana dhe kishte pyetur disa qytetarë për vendndodhjen e tij.
Nga ajo ditë, familjarët dhe ekipet e kërkimit nuk kanë marrë asnjë informacion tjetër për vendndodhjen e Ismajlit.
Qytetarët që mund ta kenë parë apo që posedojnë ndonjë informacion që ndihmon në gjetjen e tij, ftohen t’i njoftojnë autoritetet ose ta kontaktojnë Shoqatën për Kërkim dhe Shpëtim të Kosovës në numrin +383 44 235 715.
Familjarët dhe ekipet e kërkimit kanë bërë thirrje që njoftimi të shpërndahet sa më shumë, pasi çdo informacion mund të jetë i rëndësishëm për gjetjen e tij.