Një marrëdhënie e përfunduar pas disa muajsh bashkëjetesë ka marrë një kthesë serioze në Prishtinë, pasi një 40-vjeçare ka denoncuar ish-partnerin e saj për kanosje, duke pretenduar se presioni i vazhdueshëm përmes telefonatave dhe mesazheve ka kulmuar me një kërcënim me vrasje.
Sinjali mëson se rasti është denoncuar më 20 gusht dhe ka ndodhur në zonën e rrugës “Vëllezërit Gërvalla” në Prishtinë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, viktima është H. R., rreth 40-vjeçare, ndërsa personi që ajo ka denoncuar është B. G., rreth 56-vjeçar.
H.R. ka deklaruar para hetuesve se me 56-vjeçarin kishte qenë në lidhje dhe se kishin bashkëjetuar për rreth nëntë deri në dhjetë muaj.
Por, sipas saj, pas problemeve në marrëdhënien e tyre, i dyshuari kishte vazhduar ta kontaktonte përmes telefonit dhe mesazheve, duke i shkaktuar, siç ka deklaruar ajo, presion të vazhdueshëm psikik.
Situata dyshohet se ka eskaluar gjatë një telefonate.
40-vjeçarja ka deklaruar se në një prej thirrjeve telefonike ish-partneri e kishte kërcënuar se do ta vriste, çka e ka shtyrë rastin drejt Policisë.
Pas denoncimit janë ndërmarrë veprimet policore dhe B.G është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, në praninë e avokatit mbrojtës.
Për rastin është konsultuar Prokurorja kujdestare e departamentit që trajton rastet e dhunës në familje. Me udhëzim të saj është iniciuar procedura për veprën penale “Kanosja”.
Pas intervistimit, 56-vjeçari është dërguar në mbajtje.
Pretendimet e 40-vjeçares dhe rrethanat e komunikimeve mes palëve tashmë do të jenë objekt i hetimit.