Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për president të Kosovës, duke thënë se ai tregoi dinjitet përballë, siç e quajti, “histerisë politike”.

Abdixhiku ka deklaruar se tërheqja e Sejdiut dëshmon, sipas tij, se ai do të ishte zgjedhja e duhur për president.

“Bekim Sejdiu tregoi dinjitet. Tërheqja e tij, përballë histerisë politike, dëshmon pikërisht pse një njeri me karakterin e tillë, do të ishte zgjedhja e duhur për President”, ka shkruar Abdixhiku.

Kreu i LDK-së ka shprehur keqardhje që Kosova aktualisht nuk ka president dhe se, sipas tij, në vend të një zgjidhjeje politike, vendi po përballet me kaos, bllokadë dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja.

“Keqardhje që sot nuk kemi President. Që në vend të një zgjidhjeje kemi kaosin politik, bllokadën si mjet dhe zgjedhjet e reja, edhe një herë, si qëllim”, ka deklaruar ai.

Bekim Sejdiu tërhiqet nga kandidatura për president: Nuk ka mbështetje të mjaftueshme parlamentare

Abdixhiku ka kritikuar edhe sulmet ndaj Sejdiut gjatë procesit të kandidimit, duke thënë se ato kishin për qëllim dëmtimin e figurës së tij.

“Keqardhje edhe për Bekimin, që padrejtësisht u bë shënjestër e sulmeve të paprecedenta për mbytjen e karakterit të tij. Përbaltja e tij kishte të bënte më së paku me të”, ka shkruar ai.

Sipas Abdixhikut, në politikën kosovare urrejtja dhe inati personal janë bërë më të forta se përgjegjësia ndaj vendit.

“Sa shumë kemi nevojë për njerëz të mirë në këtë vend. Sa lehtë i hedhim poshtë”, ka thënë ai.

Abdixhiku e ka cilësuar situatën aktuale si “PISA politike të Kosovës”, duke akuzuar klasën politike për bllokim dhe dështim për të gjetur zgjidhje institucionale.

“Kjo është PISA politike e Kosovës. Me rëndësi të rrënojmë çdo përpjekje normale sot! Bllokohemi, ngecim, urrejmë, mbysim karaktere dhe përfundojmë sërish në zgjedhje. Edhe pas tyre, në të tjerat”, ka shkruar ai.

Në fund, Abdixhiku e ka falënderuar Sejdiun për gatishmërinë dhe qëndrimin e tij gjatë procesit.

“Të faleminderit Bekim për gatishmërinë dhe dinjitetin e treguar në vazhdimësi. Në kohë të politikës së sotme, këto virtyte janë vlerë”, ka shkruar Abdixhiku.