Zikica Belosevic, 59 vjeçar dhe Gruica Belosevic, 56 vjeçar janë dy personat e arrestuar më 29 tetor, nën dyshimin për përfshirje në krime lufte kundër popullatës civile, lidhur me masakrën e Padalishtës në komunën e Istogut, të ndodhur më 26 mars 1999.
Burimet e Gazetës Sinjali zbulojnë identitetin e dy të arrestuarve, si dhe detaje nga operacioni policor, gjatë të cilit janë siguruar dokumente që lidhen me shërbimin në ushtrinë serbe gjatë luftës në Kosovë.
Sipas burimeve të Sinjalit, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës kanë zhvilluar për një kohë të gjatë hetime lidhur me masakrën, ku viktima ishin anëtarë të familjes Imeraj.
Pas mbledhjes së dëshmive dhe provave materiale, më 25 shtator 2026 është dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Zikica Belosevic arrestohet në Osojan, i gjendet libreza e ushtrisë serbe
Mëngjesin e 29 tetorit, hetuesit kanë lokalizuar dhe arrestuar Zikica Belosevicin në fshatin Osojan të Istogut.
Pas arrestimit, është kryer kontrolli i shtëpisë dhe objekteve përcjellëse në pronën e tij.
Gjatë bastisjes është gjetur një librezë e shërbimit në ushtrinë serbe, sipas së cilës ai kishte qenë pjesëmarrës në luftë deri më 14 qershor 1999.
Hetuesit kanë siguruar gjithashtu një librezë të anëtarësisë së veteranit të luftës dhe tetë fotografi të ndryshme.
Këto materiale janë përfshirë në provat e siguruara gjatë hetimit, ndërsa rëndësia e tyre për përgjegjësinë eventuale penale do të vlerësohet gjatë procedurës.
Gruica Belosevic arrestohet në Cerkolez
Operacioni ka vazhduar në fshatin Cerkolez, ku rreth orës 10:50 është lokalizuar dhe arrestuar edhe i dyshuari i dytë, Gruica Belosevic.
Hetuesit kanë kontrolluar edhe pronën e tij, por nuk kanë gjetur prova materiale gjatë bastisjes.
Të dy të arrestuarit janë shoqëruar në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Luftës, ku janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve, në prani të përkthyesve të autorizuar dhe avokatëve mbrojtës.
Pas intervistimit, Prokuroria Speciale ka marrë vendim për ndalimin e tyre për 48 orë.
Zikica dhe Gruica Belosevic dyshohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, lidhur me ngjarjet e 26 marsit 1999 në Padalishtë.
Hetimet për përcaktimin e përgjegjësisë së tyre eventuale vazhdojnë.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.