Një nga personat e dyshuar për plagosjen e rëndë që kishte ndodhur në shtator para diskotekës “LIT” në Prishtinë, ku një i ri ishte qëlluar katër herë me armë zjarri, ka përfunduar në prangat e Policisë pas gati dy muajsh në kërkim.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se Ylber Tupalla, 23 vjeçar, i kërkuar për rastin që po hetohet si “Vrasje në tentativë”, është ndaluar më 28 tetor, rreth orës 21:45, në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Arrestimi lidhet me ngjarjen e rëndë të 5 shtatorit, rreth orës 03:50, në rrugën “Lidhja e Pejës” në Prishtinë, pranë diskotekës “LIT”.

Atë natë, Adnan Behrami (24) ishte plagosur me katër plumba pas një mosmarrëveshjeje që, sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, kishte nisur brenda lokalit.

Viktima kishte pësuar tri plagë në këmbën e majtë dhe një tjetër në pjesën e majtë të abdomenit, ndërsa ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor.

Çfarë zbuluan kamerat e sigurisë?

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se hetuesit kishin siguruar pamjet e kamerave të sigurisë, duke konfiskuar edhe pajisjen DVR të diskotekës.

Sipas pamjeve dhe deklarimeve të dëshmitarëve, në sulm dyshohet se kishin marrë pjesë dy persona, të cilët, pas të shtënave, ishin larguar me një veturë të tipit Volkswagen Golf 7, ngjyrë hiri, në drejtim të rrugës “Lidhja e Pejës”.

Gjatë hetimeve, njëri prej personave të dyshuar ishte identifikuar si Ylber Tupalla, ndërsa identiteti i personit tjetër nuk ishte përcaktuar në fazën fillestare të hetimeve.

Kapet në aeroport pas gati dy muajsh

Zhvillimi i fundit ka ndodhur mbrëmjen e 28 tetorit, kur Tupalla është ndaluar në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, pasi rezultonte në kërkim policor lidhur me këtë rast.

Ai është shoqëruar për intervistim nga hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, ku është marrë në pyetje në praninë e avokatit mbrojtës.

Pas intervistimit, me vendim të organeve kompetente, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Rasti vazhdon të trajtohet nën dyshimet për “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësisë së personave të përfshirë vazhdojnë.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.