Një video-incizim i vjetër rreth dy vjet ka rikthyer në vëmendje një rast të përdorimit të armës në fshatin Sferkë të Klinës, duke çuar në hapjen e hetimeve për dy vepra penale.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se në incizimin e siguruar shihet një person duke shtënë disa herë në ajër me një pushkë automatike të tipit AK-47.

Pas pranimit të informacionit dhe videos, njësitë përkatëse kanë shkuar në shtëpinë e personit të identifikuar, Shpëtim Gashi, por aty kanë gjetur vetëm bashkëshorten dhe vajzën e tij.

Sipas familjarëve, Gashi aktualisht ndodhet në Kroaci, ku është duke punuar.

Burimet bëjnë me dije se hetuesit kanë arritur të komunikojnë me të përmes telefonit, ndërsa ai ka pranuar se kishte shtënë me armë automatike në ajër, por ka deklaruar se ngjarja kishte ndodhur para një kohe dhe se armën nuk e kishte më në posedim.

Megjithatë, sipas informacioneve të Sinjalit, ai nuk ka dhënë ndonjë shpjegim se ku ndodhet arma apo kujt i përket aktualisht.

Me pëlqimin e tij dhe të bashkëshortes, është kontrolluar edhe shtëpia e familjes, por gjatë kontrollit nuk është gjetur as arma dhe as ndonjë send tjetër ilegal që lidhet me rastin.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Veprimet e tjera pritet të ndërmerren pasi të sigurohet prania fizike e të dyshuarit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.