Nëntë persona kanë marrë lëndime trupore si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur sot rreth orës 13:30 në fshatin Korenicë të Gjakovës, ku janë përfshirë dy automjete.
Pas aksidentit, të gjithë të lënduarit janë dërguar për trajtim në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës “Isa Grezda”.
Spitali ka njoftuar se rreth orës 14:00 në Shërbimin Emergjent janë pranuar nëntë pacientë, të cilëve u janë kryer ekzaminimet dhe shërbimet e nevojshme mjekësore.
“Menjëherë pas pranimit janë kryer të gjitha ekzaminimet dhe shërbimet e nevojshme mjekësore, përfshirë ekzaminimet imazherike (RTG dhe CT), analizat laboratorike, si dhe konsultimet nga specialistët përkatës”, thuhet në njoftimin e spitalit.
Sipas këtij institucioni shëndetësor, gjendja e të gjithë pacientëve është stabile.
Aksident mes dy veturash në Gjakovë, lëndohen nëntë persona
“Pas ekzaminimit dhe trajtimit, pesë pacientë janë pranuar për trajtim spitalor, ndërsa katër pacientë, pas marrjes së trajtimit të nevojshëm mjekësor, janë liruar për trajtim në shtëpi”, thuhet më tej.
Lidhur me aksidentin, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, ka konfirmuar për Telegrafin se në aksident ishin përfshirë dy vetura.
“Ju njoftojmë se sot, rreth orës 13:30, ka ndodhur një aksident trafiku në fshatin Korenicë, Gjakovë, ku janë përfshirë dy automjete. Si pasojë e aksidentit, nëntë persona kanë mbetur të lënduar dhe janë dërguar për trajtim mjekësor”, ka thënë Krasniqi.
Ajo ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë intervenuar ekipet e policisë, urgjencës dhe zjarrfikësve, ndërsa Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor po merret me rastin për të sqaruar rrethanat e aksidentit.
Ndërkohë, Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të kenë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve.