Një aksion policor kundër fajdesë është duke u zhvilluar sonte në Prizren, mëson ekskluzivisht Sinjali.

Sipas informacioneve të para që ka mësuar Sinjali, në operacion janë angazhuar hetues të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ndërsa veprimet policore po zhvillohen në disa lokacione në Prizren.

Burimet bëjnë të ditur se operacioni lidhet me dyshime për veprimtari të fajdesë, ndërsa në kuadër të tij po realizohen bastisje në prona që dyshohet se lidhen me personat që janë objekt i hetimeve.

Sipas informacioneve që posedon Sinjali, në disa prej lokacioneve ku pritet të kryhen bastisje tashmë janë angazhuar disa zyrtarë policor.

Një prej zonave ku po zhvillohen veprimet policore është në afërsi të Pazarit të Shqipërisë në Prizren, ndërsa operacioni raportohet se përfshin edhe lokacione të tjera.

Në këtë fazë, Sinjali nuk ka konfirmim përfundimtar për numrin e personave që janë cak i operacionit, nëse ka të arrestuar, apo për provat që mund të jenë sekuestruar gjatë bastisjeve.

Aksioni është ende në zhvillim dhe priten detaje të tjera gjatë mbrëmjes.

Vlen të theksohet se kjo strukturë e Policisë ka zhvilluar edhe më herët operacione kundër fajdesë në Prizren. Në mars të këtij viti, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, kishte realizuar operacione të tjera që rezultuan me arrestime dhe persona në kërkim për dyshime që lidheshin me fajdenë.

Sinjali do t’ju mbajë të informuar për zhvillimet dhe identitetin e personave të përfshirë, sapo të sigurohen të dhëna të konfirmuara.