Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Vladet Gashi në një konferencë për media ka dhënë detaje lidhur me ngritjen e aktakuzës në mungesë ndaj 35 të pandehurve për krime lufte në lagjen e Jasharajve në Prekaz.

Ai ka bërë të ditur se pas një pune disavjeçare kanë arritur që të finalizojmë aktakuzën në këtë rast.

“Ky rast ka qenë shumë kompleks dhe sfidues politik, po falë punës intensive të Prokurorisë Speciale të Kosovës, stafit të saj, bashkëpunimit të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera të vendit kemi arritur në këtë fazë të ngritjes së aktakuzës, që tashmë është në Gjykatë”, tha ai, raporton Telegrafi.

Sipas tij, bazuar në provat e siguruara kanë arritur të vërtetojnë dyshimin e bazuar se të pandehurit të përfshirë në aktakuzë kanë kryer vepër krime lufte kundër popullatës civile si rezultat i veprimeve të tyre në ngjarjet e datave 5,6 7 mars në vitin 1998 në Prekaz të Poshtëm, konkretisht në lagjen e Jasharajve.

Aktakuzë ndaj 35 të pandehurve për krime lufte në lagjen e Jasharajve në Prekaz

“Si rezultat i hetimeve bazuar në provat materiale dhe personale kemi arritur të identifikojmë 35 të pandehur në këtë rast, të cilët i përkasin pozitave të larta komanduese në strukturat e njësive speciale të policisë serbe.

Gjithashtu është arritur të vërtetohet saktë se cilat njësi të forcave serbe kanë pjesë në këtë sulm, pozicionet ku kanë sulmuar, aktivitetet e secilit prej të pandehurve, arsenali i armatimit që është përdorur dhe dëmet që janë shkaktuar në njerëz, ashtu edhe në pasuri”, tha ai, raporton Telegrafi.

Prokurori Gashi më tej njoftoi se provat e siguruara gjatë hetimit të këtij rasti kanë vërtetuar se në këtë sulm janë vrarë 26 persona civilë.

“Provat e siguruara gjatë hetimit të këtij rasti kanë vërtetuar se në këtë sulm janë vrarë 26 persona civilë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë, duke filluar nga mosha 5-vjeçare, gra dhe të moshuar. Përveç tjerash, është provuar se gjatë këtij sulmi, forcat e njësive speciale serbe kishin marrë peng nga shtëpitë e tyre banorë të lagjes Jasharaj, me të cilin rast i kishin maltretuar në mënyrat më të ndryshme”, tha ai.

Gashi po ashtu tha se është arritur edhe të vërtetohet saktë se cilat njësi të forcave serbe kanë marrë pjesë në këtë sulm, pozicioni ku kanë sulmuar ata, aktivitetet e secilit të pandehur, arsenali i armatimit që është përdorur dhe dëmet që janë shkaktuar si në njerëz ashtu edhe në pasuri.