Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave, të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ndërtim pa leje dhe punime ndërtimore të kundërligjshme lidhur me ndërtimin e një objekti në Komunën e Suharekës.

Sipas aktakuzës, tejkalimet nga leja ndërtimore i kanë mundësuar investitorit përfitim prej rreth 716 mijë eurosh, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm financiar.

Aktakuza është ngritur nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Prizren kundër të pandehurve H.M. dhe A.D., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së.

Ndërkaq, ndaj të pandehurit N.B. është ngritur aktakuzë për veprën penale “Ndërtimi pa leje” nga neni 359 i KPRK-së, ndërsa ndaj A.H. për veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” nga neni 360 i KPRK-së.

Sipas aktakuzës, rasti ka të bëjë me dyshime për parregullsi gjatë mbikëqyrjes dhe realizimit të punimeve ndërtimore në një objekt në Komunën e Suharekës, për të cilin ishte lëshuar leje ndërtimore.

I pandehuri H.M., në cilësinë e Inspektorit të Ndërtimtarisë pranë Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Suharekës, dhe A.D., në cilësinë e Drejtorit të Inspekcioneve në këtë komunë, dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme pas konstatimit të parregullsive në objekt.

Sipas Prokurorisë, edhe pse investitori ishte urdhëruar që t’i ndërpriste punimet dhe të pajisej me leje ndërtimore, kontrolli i mëtejshëm nuk është kryer brenda afatit të përcaktuar.

Ndërsa, gjatë një inspektimi të mëvonshëm, gjendja e objektit, sipas aktakuzës, nuk është pasqyruar në mënyrë reale, pasi nuk janë evidentuar të gjitha tejkalimet nga leja ndërtimore.

Në anën tjetër, investitori N.B. dyshohet se objektin e ka ndërtuar në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit. Për objektin ishte lejuar ndërtimi me etazhitet B+P+2, ndërsa, sipas aktakuzës, objekti është realizuar me B+P+3.

Po ashtu, sipas aktakuzës, janë bërë tejkalime të vijave ndërtimore për rreth 730 metra katrorë sipërfaqe të ndërtuar përtej parametrave të lejuar.

Sipas Prokurorisë, këto tejkalime i kanë mundësuar investitorit përfitim në vlerë prej rreth 716 mijë euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm financiar në vlerën e taksave të papaguara.

Ndërkaq, A.H., si pronar i kompanisë ndërtimore “B.P.”, e cila ka realizuar projektimin dhe punimet ndërtimore në objekt, dyshohet se ka kryer punime ndërtimore në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.