Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe të Franciska Zhitija Ymerit, duke vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë në kontestin lidhur me procesin e zgjedhjes së anëtarëve të KGJK-së nga radhët e Gjykatës Supreme.

Sinjali ka siguruar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të datës 29 shtator 2026, me të cilin është lënë në fuqi vendimi i shkallës së parë në rastin e paditëses Mejreme Memaj kundër Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Aktgjykim – Mejreme MEMAJ.pdf

Gjykata Themelore kishte aprovuar në tërësi padinë e Memajt dhe kishte anuluar si të kundërligjshëm raundin e dytë të votimit në procesin për zgjedhjen e anëtarëve të KGJK-së nga radhët e Gjykatës Supreme.

Në të njëjtin aktgjykim ishte konstatuar se raundi i parë kishte prodhuar rezultat të vlefshëm zgjedhor dhe se Mejreme Memaj dhe Rrustem Thaçi kishin fituar numrin e nevojshëm të votave për t’u certifikuar si anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Gjykata kishte anuluar po ashtu vendimet e KGJK-së nr.38/2026 dhe nr.39/2026, të datës 29 janar 2026, si të kundërligjshme.

Me aktgjykimin e shkallës së parë, KGJK ishte detyruar që brenda 15 ditësh nga pranimi i aktgjykimit të nxjerrë akt të ri administrativ, duke certifikuar rezultatin e raundit të parë, sipas të cilit Memaj dhe Thaçi rezultojnë kandidatët e zgjedhur për anëtarë të KGJK-së nga radhët e Gjykatës Supreme. Ky aktgjykim tashmë është vërtetuar nga Apeli.

Në arsyetimin e saj, Gjykata e Apelit ka trajtuar edhe pretendimet lidhur me mënyrën e interpretimit të rregullave të votimit, duke arritur në përfundimin se nuk kishte bazë ligjore që rezultati i vlefshëm i raundit të parë të zëvendësohej përmes një raundi të dytë.

Me këtë vendim, Apeli ka lënë në fuqi konstatimin e shkallës së parë se procesi duhej të përfundonte mbi bazën e rezultatit të raundit të parë dhe se veprimet pasuese të ndërmarra nga KGJK nuk mund ta ndryshonin atë rezultat.

Aktgjykimi është marrë nga kolegji i Departamentit për Çështje Administrative të Gjykatës së Apelit.