Një vjedhje e rëndë është raportuar mbrëmjen e 3 tetorit në kompleksin “Prime City” në Prishtinë, ku nga një banesë është vjedhur një armë zjarri.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 22:00, në rrugën “Shkupi”, Policia është njoftuar për thyerjen e një banese.
I dëmtuari, B. P, ka deklaruar se nga banesa i është vjedhur një pistoletë Beretta, kalibër 9 mm, me vlerë rreth 1 mijë e 900 euro, për të cilën posedonte leje.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, një dëshmitar ka deklaruar se kishte parë dy persona të maskuar dhe të veshur me të zeza, të cilët po largoheshin nga ballkoni duke përdorur një shkallë.
Në vendin e ngjarjes ka dalë Forenzika, e cila ka kryer ekzaminimet e nevojshme, ndërsa lokacioni është i mbuluar edhe me kamera të sigurisë.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, ndërsa çështja është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”.
Të dyshuarit ende nuk janë identifikuar dhe rasti mbetet nën hetim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.