Një shtetas i Kosovës është arrestuar në pikën kufitare ndërkombëtare Karasovići, në Kroaci, pasi gjatë kontrollit kufitar është konstatuar se ndaj tij kishte një fletarrestim ndërkombëtar të lëshuar me kërkesë të Interpolit në Beograd.
Sipas mediave kroate, bëhet fjalë për B.B., 49-vjeçar nga Nerodimja e Poshtme, i cili po hynte në Kroaci si drejtues i një automjeti të tipit “Audi A6” me targa gjermane, raporton dubrovackidnevnik.net.hr.
Gjatë kontrollit të dokumenteve, autoritetet kroate kanë konstatuar se të dhënat e tij figuronin në bazën e të dhënave të Interpolit për qëllim arrestimi dhe ekstradimi.
Fletarrestimi ndërkombëtar ndaj tij ishte lëshuar më 29 prill 2024, me kërkesë të Interpolit në Beograd. Serbia e akuzon shtetasin kosovar se gjatë luftës në Kosovë, në fund të viteve ’90, dyshohet se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.
Pas arrestimit, B.B. është njoftuar për të drejtat e tij ligjore dhe është dërguar para gjyqtarit hetues të Gjykatës së Qarkut në Dubrovnik. Gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit, në kuadër të procedurës për ekstradim.
Megjithatë, ekstradimi i tij në Serbi nuk është ende i sigurt. Autoritetet serbe kanë 40 ditë afat që Gjykatës së Qarkut në Dubrovnik t’ia dorëzojnë dokumentacionin e plotë me të cilin argumentojnë kërkesën për arrestim dhe ekstradim.
Sipas burimeve pranë hetimit gjyqësor, të cituara nga mediat kroate, B.B. i ka mohuar kategorikisht akuzat për krime lufte. Ai ka paraqitur një version krejtësisht të kundërt të ngjarjeve dhe ka mohuar përgjegjësinë për veprën për të cilën akuzohet nga Serbia.
Tashmë pritet që gjykata kroate të shqyrtojë në detaje dokumentacionin që do të dorëzohet nga autoritetet serbe, përpara se të marrë vendimin përfundimtar lidhur me ekstradimin e tij.