Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person të kërkuar në Mitrovicën e Veriut, i cili ishte dënuar me gjashtë muaj burgim për veprën penale “Sulm”.
Sipas njoftimit të Policisë, zyrtarët policorë nga Stacioni Policor në Mitrovicën e Veriut kanë arrestuar në adresën e tij të banimit K.M., 51-vjeçar.
I njëjti ishte në kërkim me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe, pas kompletimit të dokumentacionit përkatës, është dërguar në vuajtje të dënimit.
Policia ka bërë të ditur se gjatë periudhës janar-gusht 2026, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut, janë realizuar gjithsej 95 urdhëresa të gjykatave.
Nga këto, 11 persona janë dërguar në vuajtje të dënimit, ndërsa personat e tjerë, pas përfundimit të obligimeve në gjykatë, janë liruar.
Policia ka njoftuar se do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me realizimin e urdhëresave ndaj personave të kërkuar nga organet e drejtësisë.
Njëkohësisht, qytetarët janë ftuar që çdo informacion për personat e kërkuar ta raportojnë në numrin 192, në stacionin më të afërt policor ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”, duke garantuar konfidencialitet të plotë të të dhënave.