Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë arrestuar sot një zyrtar policor në Gjilan, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “sulm”, “lëndim i lehtë trupor” dhe “kanosje”.
Sipas IPK-së, hetuesit disa ditë më herët janë njoftuar përmes një ankese në zyrën rajonale të IPK-së në Gjilan, lidhur me dyshimet se zyrtari policor, derisa ishte jashtë detyrës zyrtare, kishte kryer veprime të kundërligjshme.
“Incidenti raportohet të ketë ndodhur më 13 gusht 2026 në rrugën ‘Lidhja e Prizrenit’ në Gjilan, zyrtari policor jashtë detyrës zyrtare ka qenë i përfshirë në një mosmarrëveshje me disa të rinj”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
IPK-ja, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, ka nisur hetimet ndaj zyrtarit të dyshuar.
“Hetuesit, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, ku pas këtyre veprimeve fillestare hetimore zyrtari policor është arrestuar sot, kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa ndaj të njëjtit IPK ka rekomanduar edhe suspendimin”, vijon njoftimi.
IPK-ja ka bërë të ditur se veprimet e mëtejshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së, në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.