Policia e Kosovës ka sekuestruar disa armë dhe municion në një hambar në fshatin Kleçkë të komunës së Zubin Potokut, pas informacioneve të pranuara nga qytetarët.
Sipas njoftimit të Policisë, operacioni është realizuar sot, më 31 tetor, nga njësitë e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Veri, pas dyshimeve se në atë lokacion mund të kishte armë dhe mjete të tjera ilegale.
Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar katër pushkë, një armë automatike, një revole të tipit TT me karikator të zbrazët, 33 fishekë për armë të gjata, një këllëf me optikë dhe dy karikatorë të zbrazët.
Lidhur me rastin, deri më tani nuk ka persona të arrestuar.
Policia ka bërë të ditur se të gjitha veprimet janë paraqitur te Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në fund, Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe i ka inkurajuar që të vazhdojnë të ofrojnë informacione që ndihmojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.