Gazeta Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se Artan Fejza është drejtori i Prokurimit në Policinë e Kosovës, për të cilin Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin nga detyra, në kuadër të hetimeve për dyshime për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe çështje që lidhen me konfliktin e interesit në procedurat e prokurimit publik.

Siç raportoi më herët Sinjali, IPK ka nisur hetimet paraprake ndaj drejtorit të prokurimit, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe çështje që lidhen me konfliktin e interesit në proceset e prokurimit publik.

Dyshimet përfshijnë dhjetëra kontrata të realizuara përmes procedurave të negociuara dhe konfidenciale, për të cilat hetuesit po shqyrtojnë mënyrën e zhvillimit dhe ligjshmërinë e tyre.

IPK, në koordinim me Prokurorinë Speciale, po vazhdon veprimet hetimore, ndërsa rekomandimi për suspendimin e Fejzës është bërë me qëllim të garantimit të integritetit të hetimit.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.