Dy persona janë arrestuar në Prizren, pas një aksioni të zhvilluar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në kuadër të një hetimi për dyshimet për prodhim dhe shpërndarje të produkteve të dëmshme mjekësore.
Siç raportoi më herët ekskluzivisht Gazeta Sinjali, hetuesit kanë bastisur dy lokacione në Prizren, në bazë të një urdhërese të Gjykatës Themelore në këtë qytet.
Policia ka bërë të ditur se kontrollet janë zhvilluar në dy biznese farmaceutike, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe me asistimin e Inspektoratit Shëndetësor/Farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë.
Gjatë bastisjeve janë zbuluar depo të fshehta, ku mbaheshin barna pa banderola, në kushte që nuk i përmbushnin standardet për ruajtjen e produkteve mjekësore.
Sipas Policisë, vlera e barnave të konfiskuara në të dy lokacionet arrin rreth 10 mijë euro në treg. Konfiskimi i tyre është kryer nga Njësia Kundër Kontrabandës e Doganës së Kosovës.
Në cilësinë e të dyshuarve janë arrestuar dy burra kosovarë, të cilët, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”.