Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zbuluar mallra të padeklaruara gjatë kontrollit të disa kamionëve në Pikën e Kalimit Kufitar në Han të Elezit.

Sipas njoftimit të Doganës, kamionët ishin të ngarkuar me automjete dhe për ta paraprakisht ishin paraqitur deklaratat për procedurat e zhdoganimit.

Mirëpo, gjatë kontrollit fizik dhe verifikimit të dokumentacionit, zyrtarët doganorë kanë konstatuar se një pjesë e mallit nuk ishte përfshirë në deklaratat doganore.

Bëhet fjalë për sistemin e shkallëve rrëshqitëse për kabinat e automjeteve, vlera e të cilit, pa përfshirë detyrimet doganore dhe tatimore, është vlerësuar në rreth 27 mijë euro.

Rasti është duke u trajtuar nga Dogana e Kosovës, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi, ndërsa veprimet e mëtejshme do të ndërmerren bazuar në Kodin Doganor dhe të Akcizave.

Dogana ka rikujtuar se deklarimi i saktë dhe i plotë i të gjitha mallrave është obligim ligjor për pjesëmarrësit në procedurat doganore.