Pesë vëllezër, pesë shtëpi në të njëjtën parcelë dhe një vjedhje që nuk ka kursyer asnjërën prej tyre. Persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë depërtuar me forcë në shtëpitë e familjes Kololli, në fshatin Budakovë të Suharekës, prej nga kanë marrë stoli ari, dy motosharra dhe një armë zjarri me leje, të cilën një mik i familjes e kishte lënë aty për ruajtje.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se cak i vjedhjes kanë qenë shtëpitë e pesë vëllezërve Kololli – Brahim, Ruzhdi, Sabri, Bafti dhe Avdi Kololli – ndërsa ngjarja është evidentuar më 28 tetor, rreth orës 01:00.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, të pesë shtëpitë ndodhen në një parcelë të përbashkët, pa ndarje fizike mes tyre, çka ka bërë që i gjithë kompleksi familjar të jetë i përfshirë në të njëjtin incident.
Për vjedhjen, Policia është njoftuar përmes telefonit nga një familjare, e cila ka raportuar se persona të panjohur kishin hyrë në shtëpitë e vëllezërve të saj.
Njësitë policore kanë dalë në Budakovë dhe, pas kontaktit me ankuesen, kanë nisur veprimet për dokumentimin e rastit.
Nga informacionet fillestare dyshohet se autorët kanë hyrë me forcë në të pesë shtëpitë, duke marrë sende me vlerë.
Deri në atë fazë, familjarët kishin identifikuar si të vjedhura dy motosharra, një sasi stolish ari dhe një pistoletë.
Pistoleta ishte e mikut të familjes
Një nga detajet më të pazakonta të kësaj vjedhjeje është se arma e marrë nuk i përkiste asnjërit prej pesë vëllezërve.
Sipas burimeve të Sinjalit, bëhet fjalë për një pistoletë të tipit Sarsilmaz, të kalibrit 9×19 mm, e regjistruar me leje të vlefshme në emër të Driton Morinës.
Morina e kishte lënë armën për ruajtje në shtëpinë e mikut të tij, Brahim Kololli, nga ku dyshohet se është marrë gjatë vjedhjes.
Kështu, krahas stolive të arit dhe pajisjeve të tjera, personat e dyshuar janë larguar edhe me një armë zjarri.
Pas konsultimit me Prokurorinë e Shtetit, është vendosur që vjedhjet e raportuara në të pesë shtëpitë të trajtohen në një rast të vetëm hetimor, nën dyshimin për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Ende nuk është përcaktuar vlera e përgjithshme e dëmit dhe nuk janë identifikuar personat që dyshohet se kanë kryer vjedhjen.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e ngjarjes dhe gjetjen e sendeve të vjedhura, përfshirë armën e zjarrit.