Një person është arrestuar sot në Junik nën dyshimin për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”.
Sipas Policisë së Kosovës, Drejtoria e Hetimit të Trafikimit me Narkotikë në Pejë, e mbështetur nga Njësia për Reagim të Shpejtë dhe Stacioni Policor në Junik, ka zbatuar një urdhëresë të Prokurorisë Themelore në Pejë për kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, në rrugën “Lush Musa”.
Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjysmë-automatike, 40 fishekë të kalibrit 7.62×39 mm, katër thika, një boks metali, një sprej dhe një set pajisjesh për pastrimin e armës.
I dyshuari është arrestuar dhe është intervistuar nga Policia.
Rasti po trajtohet në koordinim me organet kompetente.