Gazeta Sinjali ka raportuar më herët për vdekjen e një punëtori në një objekt në ndërtim në Ferizaj, ndërsa tashmë janë bërë të ditura detaje të reja për rastin.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur për Sinjalin se viktima është M.M., 54 vjeç, ndërsa një person tjetër është ndaluar për 48 orë.

“Viktima është M.M., 54 vjeç, ndërsa B.T., 31 vjeç, është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale „Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, ka thënë Veseli.

Rasti ka ndodhur sot rreth orës 15:40, në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj, ku viktima dyshohet se gjatë punimeve ndërtimore është rrëzuar nga kati përdhes në bodrum.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipet e Emergjencës, të cilat kanë konstatuar vdekjen e tij. Po ashtu, në vendin e ngjarjes kanë intervenuar hetuesit rajonalë, ndërsa janë njoftuar edhe inspektorët e punës.