Një bastisje policore në fshatin Senik të Malishevës ka përfunduar me sekuestrimin e disa armëve dhe mjeteve të tjera, ndërsa një 43-vjeçar ka pranuar se ato ishin të tijat dhe se nuk posedonte leje përkatëse.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Policia kishte siguruar informacione operative se Liridon Jonuzaj mund të posedonte armë pa autorizim.

Pas sigurimit të urdhrit nga Prokurori i Shtetit, është kryer kontroll në shtëpinë e tij.

Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjahu dytytëshe e tipit Kral Silah, kalibër 12 GA, një pushkë gjahu njëtytëshe HB Armes, po ashtu kalibër 12 GA, një pushkë ajrore UX Patrol 4.5 mm, një pistoletë Zoraki M 906 B, një pjesë druri e armës së gjahut dhe një thikë me këllëf.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, i dyshuari është intervistuar dhe ka pranuar se armët i përkisnin atij, duke deklaruar se nuk kishte leje përkatëse për posedimin e tyre.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar që Jonuzaj të lirohet në procedurë të rregullt.

Rasti po trajtohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.